Gjykata Administrative vendosi sot ndalimin e punimeve për hidrocentralin e Poçemit në Vjosë, duke u dhënë të drejtë banorëve që protestuan.
Banorët e Luginës së Vjosës kanë protestuar disa herë për dhënien e koncesionit të hidrocentralit të Poçemit mbi lumin Vjosë, duke bllokuar segmentin e rrugës kombëtare që lidh Levanin me Tepelenën.
Nga ana tjetër, kompania turke, që ka fituar koncesionin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në lumin e Vjosës, ka nisur punën për projektimin e digës, por banorët e zonave përreth e kanë kundërshtuar këtë hap.
Autoritetet shqiptare të Ministrisë së Energjisë e shpallën më 2016 vendimin për dhënien me koncesion 35-vjeçar ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosa, të një kompanie turke.
Kujtojmë se Parlamenti Europian i ka kërkuar kohët e fundit qeverisë shqiptare të rishikojë projektet hidroenergjetike, përgjatë lumit Vjosa dhe degëve të këtij lumi dhe të hartojë Planet e Ndikimit në Mjedis, përpara se projektet të vihen në zbatim.