Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë bojkotuar masivisht zgjedhjet presidenciale në Serbi, ndërsa krerët e partive shqiptare vlerësojnë se asnjëri nga kandidatët potencialë për president nuk iu drejtuan shqiptarëve që t’iu kërkojnë votën.
Në komunën e Bujanocit, në 6 njësi zgjedhore nuk është hedhur asnjë fletë votimi, ndërsa në disa vende të tjera kanë dalë shumë pak votues.
Kryetari i Kuvendit Komunal, Jonuz Musliu, ka thënë se bojkoti ka qenë zgjedhja e duhur, pasi asnjëri nga kandidatët nuk ka qenë i interesuar për votat e shqiptarëve.
“Në fushatë asnjëri nuk erdhi që të kërkojë votat e shqiptarëve, po as të pyesin se çfarë po kërkojnë shqiptarët. Ky është mandati i tretë i Vuçiçit në qeveri, nuk po shoh ndonjë lëvizje për të zgjidhë të drejtat e shqiptarëve. Nuk kemi tekst, simbole, përdorim të gjuhës. Po të ishte ndonjëri kandidat i interesuar për vota, ai atëherë duhej të ofronte diçka për shqiptarët” ka thënë Musliu.