Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj ndryshimit të trupës gjykuese në çështjen e ish-deputetit Ervin Salianji, duke e quajtur një akt të urdhëruar politikisht nga kryeministri Edi Rama.
Blushi e cilësoi këtë vendim si një shkelje flagrante të ligjit dhe Kushtetutës, duke theksuar se është një tregues i kapjes së sistemit të drejtësisë dhe një përpjekje për të shantazhuar dhe penguar figurat përfaqësuese të opozitës. Ai e quajti këtë veprim një përpjekje të qeverisë për të manipuluar procesin zgjedhor dhe shprehu mbështetje të plotë për Salianjin, duke e konsideruar atë një të burgosur politik.
Ndërkohë, vetë Salianji ka akuzuar për manipulime gjatë procesit të përzgjedhjes së relatorit në Gjykatën e Lartë. Ai pretendon se shorti është manipuluar për të zëvendësuar gjyqtaren Albana Boksi me gjyqtarin Sokol Binaj, duke aluduar se kjo është bërë me qëllim për ta mbajtur atë larg zgjedhjeve dhe aktiviteteve publike.
Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë ka sqaruar se përzgjedhja e gjyqtarit relator bëhet përmes sistemit elektronik ICMIS dhe se Sokol Binaj u caktua relator për shkak të shqyrtimit të mëparshëm të një kërkese të lidhur me këtë çështje. Gjykata deklaroi se ky ndryshim është bërë në përputhje me procedurat ligjore dhe nuk përbën një manipulim. Salianji, i dënuar me një vit burg për kallëzim të rremë në dosjen “Babale,” kërkon pafajësinë në Gjykatën e Lartë, ndërsa demokratët vijojnë të këmbëngulin se procesi kundër tij është politikisht i motivuar.
‘Ndryshimi i paprecedent i trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë, që shqyrton dosjen e deputetit të PD, Ervin Salianji është një akt i shëmtuar politik i urdhëruar drejtpërdrejt nga Edi Rama.
Një tjetër tregues i qartë i kapjes për fyti të “Drejtësisë së Re” dhe i shkeljeve flagrante të ligjit dhe Kushtetutës të përfaqësuesve të saj për llogari të Narkoregjimit, me qëllim për të penguar kriminalisht figurat më përfaqësuese dhe kurajoze të opozitës për të kandiduar në zgjedhje, duke i burgosur politikisht, hetuar dhe shantazhuar.
Ky është edhe një tregues i panikut të këtij regjimi të kalbur që nëpërmjet të tilla praktikave mafioze mendon se do të imponojë dhunshëm një tjetër rezultat veç Ndëshkimit shembullor që e pret më 11 Maj.
Partia e Lirisë dënon me forcë këtë manipulim të rëndë dhe shpreh të gjithë solidaritetin e saj me deputetin demokrat të burgosur politik Ervin Salianji.
Më të vendosur se kurrë për të bërë gjithçka për të sjellë Ndryshimin e shumëpritur dhe garantuar Fitoren e shqiptarëve të ndershëm e patriotë më 11 Maj!’, tha Blushi.