Seanca për shqyrtimin fillestar në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt është shtyrë për të premten. Kjo për arsye se avokatët mbrojtës kanë kërkuar më shumë kohë se nuk i kishin pranuar materialet me kohë.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla u sollën në gjykatë të prangosur këmbë e duar, ndërsa i pranishëm ishte edhe i akuzuari i katërt Tom Dedaj. Para fillimit të seancës, kontrolle të detajuara iu bënë edhe anëtarëve të familjes së Liridona Ademajt.
Seanca nisi me pyetjet e përgjithshme për të akuzuarit, ndërsa mori vëmendje pyetje për statusin martesor për Naimin dhe punësimin e Kushtrimit.
Seanca nuk mund të vijonte për shkak se dy avokatë mbrojtës kërkuan më shumë kohë pasi nuk kishin marr aktakuzën dhe shkresat e tjera të lëndës.
“Nuk e di përmbajtjen e shkresave të lëndës, nuk jemi në gjendje as t’i kundërshtojmë ato shkresat, nuk i dimë a ka ndonjë të metë, a janë prova të ligjshme a nuk janë”, tha Ndrec Dodaj, avokat i Kushtrim Kokallës.
“Unë kam pasur probleme, sot e kam marr aktakuzën, shkresat e tjera të lëndës nuk i kam”, u shpreh Agron Kuçi, avokat i Tom Dodaj.
Ky arsyetim nuk u prit mirë nga kryetarja e trupit gjykues e cila i dha kohë avokatëve deri të premten për t’u përgatitur.
“Kjo është hera e parë dhe e fundit që unë e shtyj shqyrtimin për papërgjegjshmërinë e juaj, që nuk i kryeni punët e juaja për çka jeni të angazhuar”, tha Fatime Dërmaku, gjyqtare.
Data e re e seancës që u caktua për 31 janar nuk i pëlqeu avokatit mbrojtës të Kushtrim Kokallës, ndërsa edhe për ndërhyrjet e vazhdueshme, u gjobit.
“Mbrojtësit të të pandehurit, Kushtrim Kokalla, avokati Ndrec Dodaj, për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë dënohet me dënim me gjobë në shumë prej 500 euro”, tha Fatime Dërmaku, gjyqtare.
Familjarët e Liridona Ademajt nuk u prononcuan për media, ndërsa para seancës thanë se presin një proces të drejtë, pa vonesa dhe transparent