Aleati i Lulzim Bashës, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, tha se kushtet e vëna nga Bundestagu për çeljen e negociatave janë platforma më e mirë për opozitën. Ai deklaroi në studion e emisionit ‘Opinion’ në TV Klan, se kjo shërben si një platformë mbi të cilën mund të negociohet, e mund të arrihen marrëveshje.
“I kam thënë Bashës, po lodhemi kot ne me platforma, ja ku na e shkruajtën gjermanët. Platformë më e mirë nuk ka. Kjo për mua shërben si një platformë e madhe, mbi të cilën mund të negociohet, mund të ngrihen marrëveshje”, tha Shehi.
Ai shtoi se 9 kushtet, janë detaje që tregojnë se Europa po merret seriozisht me Shqipërinë. “Kjo qeveri që është sot, nuk mund ti zbatojë këto kushte, se ajo i ka krijuar. Këto kushte janë për një zbatim afatgjatë, dhe shkojnë përtej kësaj qeverie”, u shpreh kreu i LZHK-së.