Të qenit vetëm, nuk do të thotë domosdoshmërisht që duhet të ndihesh i vetmuar. Kur sugjerohet kalimi i disa minutave vetëm, shpesh ka njerëz që thonë: “Jam shumë i zënë për të pasur kohë për veten time!” ose “Nuk mund të ri ulur pa bërë asgjë. Kam nevojë të jem produktiv!”.
Megjithatë, garantimi i disa minutave vetmie ndërmjet orarit tuaj të mbingarkuar, nuk është një humbje kohe. Sa më të zënë të jeni, aq më shumë ka gjasa të përfitoni nga një moment qetësie vetëm me veten. Ekzistojnë një mori studimesh, që flasin mbi dobitë e vetmisë. Më poshtë po rendisim disa prej tyre, të mbështetura nga shkenca:
1. Qëndrimi për disa momente vetëm rrit ndjeshmërinë
Kur kaloni kohë me një rreth të caktuar miqsh ose kolegësh, zhvilloni mentalitetin “ne kundër atyre”. Vetëm disa momente të kaluara vetëm me veten, ju ndihmojnë të zhvilloni më shumë ndjeshmërinë ndaj njerëzve të tjerë, që mund të mos i përshtaten rrethin tuaj të brendshëm.
2. Vetmia rrit produktivitetin
Megjithëse shumë kompani kanë ndryshuar mënyrën e pozicionit të zyrave, në mënyrë që të gjithë të mund të komunikojnë më lehtësisht, studimet tregojnë se të qënit i rrethuar nga njerëzit e “vret“ produktivitetin. Është vënë re se njerëzit kanë një rendiment më të lartë, kur kanë njëfarë privatësie.
3. Vetmia ndez krijimtarinë
Ekziston një arsye, pse shumë shkrimtarë apo artistë duan të shkojnë në një kasolle në pyll ose në një studio private për të punuar. Të qenit vetëm me mendimet tuaja, i jep trurit tuaj një shans për të abstraguar, çka mund t’iu ndihmojë të bëheni më krijues.
4. Të qenit vetëm, mund t’iu ndihmojë të keni një forcë më të madhe mendore
Ne jemi krijesa sociale, dhe është e rëndësishme të kemi lidhje të forta me njerëzit e tjerë. Por, vetmia është thelbësore për ndërtimin e forcës mendore. Studimet kanë treguar se aftësia për të toleruar me kalimin e kohës, ka qenë e lidhur me rritjen e lumturisë, kënaqësisë më të madhe me jetën, dhe përmirësimin e menaxhimit të stresit. Njerëzit që gëzojnë disa minuta në ditë të qenit vetëm me veten, përjetojnë më pak depresion .
5. Vetmia mund të reduktojë sjelljet problematike tek fëmijët
Kur parashikoni një moment vetmie në oraret tuaja të përditshme, ju i tregoni fëmijëve tuaj se të qenit vetëm është diçka shëndetshme për t’u praktikuar. Dhe hulumtimet e fundit, tregojnë se fëmijët që mësojnë të qëndrojnë një farë kohe vetëm, sillen më mirë se fëmijët e tjerë.
6. Të qenit vetëm ju jep mundësinë të planifikoni jetën tuaj
Shumica e njerëzve, kalojnë shumë kohë duke planifikuar dasma dhe pushime, por asnjëherë nuk planifikojnë sesi të marrin sa më shumë nga jeta. Koha e kaluar vetëm mund t’iu japë një shans për të siguruar që i gjithë nguti dhe angazhimi juaj e ka një qëllim. Hapësira e qetë, ju ofron mundësi të mendoni për qëllimet tuaja, përparimin tuaj dhe ndryshimet që do të donit të bënit në jetën tuaj.
7. Vetmia ju ndihmon të njihni veten
Të qenit vetëm për njëfarë kohë gjatë ditës, ju ndihmon të ndiheni më rehat me veten. Kur gjendesh vetëm me veten, mund të bësh zgjedhje pa presionin e ndikimeve të jashtme. Dhe kjo do t’ju ndihmojë të keni më shumë njohuri se kush jeni ju si person.
Gjeni pak kohë për të qenë vetëm
Gjeni pak minuta çdo ditë për të qenë vetëm me mendimet tuaja – vetëm 10 minuta në ditë mund t’iu ndihmojnë shumë. Fikni mjetet tuaja elektronike, dhe lejojini vetes të reflektoni për disa minuta. Nëse nuk jeni mësuar me vetminë, në fillim mund të ndiheni disi jo rehat. Por krijimi i një kohe të qetë për veten, mund të jetë çelësi për t’u bërë versioni më i mirë i vetes.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce