E mërkurë, 8 Dhjetor, 2021
-0.5 C
Tirana

Reforma “diplomatike” e zotit Cakaj

Nga HAMDI JUPE  

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, zoti Cakaj, duke fshirë djersët me gisht para kamèrave televizive, doli  në konferencë shtypi dhe deklaroi lajmin e madh, “komunikimin me rëndësi të veçantë”, siç e përcaktoi vetë ai: të reformës së madhe “shtatëdhjeteshtatëditore”, në diplomacinë shqiptare. Kam hequr e do heq njëzet vetë nga puna, se nuk ishin të përshtatshëm dhe i bëj thirrje “rinisë ekselente të vijë të punojë në këtë ministri”, tha, në substancë, zëvendësministri ynë me detyrë ministri.

Zoti zëvendësministër me detyrë ministri ishte aq shumë i emocionuar nga ky kumtim me rëndësi “jashtëzakonisht të veçantë”, saqë nuk përballoi dot asnjë pyetje prej gazetarëve të bezdisshëm që kishte ftuar vetë aty. Ai mori deklaratën nën sqetull dhe u largua.

Të pamundur të merrnin ndonjë sqarim të mëtutjèshëm për sa më lart, gazetarët filluan hamendësimet e tyre rreth kësaj deklarate aspak diplomatike të zëvendëskryediplomatit shqiptar. Dhe komenti i parë që u erdhi në mendje gazetarëve nervozë me këtë rast ishte ky: “E bëra edhe unë një ‘vezë të kuqe’, tani, pas shtatëdhjeteshtatë ditësh në krye të Ministrisë”. Deklarata e ministrit të komanduar, natyrisht që u transmetua drejtpërdrejt në “ERTV”.

Në atë ligjëratë të shkurtër që mbajti atje, gjithë duke i shkuar djersët çurg, zëvendësministri me detyrë Ministri foli për “hatërllëqe”, për “familjaritete”, për “punonjës që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as minimale profesionale, për të punuar në diplomaci”. Ai foli për “pellg të ndenjur të së shkuarës”, për “nepotizëm dhe klientelizëm politik”, për “korrupsion moral”, për nevojën për “valë spastrimi në shërbimin tonë diplomatik”, për “klane të krushqive” dhe për domosdonë për “transformim radikal” etj., etj, etj..

O Zot, o Zot! Ku paska qenë katandisur diplomacia jonë njëqindegjashtëvjeçare, që u desh të vinte tani zoti Cakaj njëzetetetëvjeçar, për ta pastruar nga Hauret e Avgjisë! E gjitha kjo, për njëzet vetë që mendon ai të heqë nga stafi diplomatik, që përbëhet prej disa qindra punonjësish, brenda e jashtë vendit.

Disa pyetje lindin natyrshëm nga kjo deklaratë aspak diplomatike e kryediplomatit para shtypit. E para, njëzet vetë nuk janë asgjë të lëvizen në detyrë në një ministri. Edhe sikur të lëvizen, nuk ka asnjë arsye të dilet në konferencë shtypi dhe të deklarohen ato publikisht. Lëvizje të tilla bëhen në të gjitha ministritë. Aq më tepër te Ministria e Jashtme, duhet ruajtur pak dinjiteti i institucionit dhe i njerëzve që punojnë atje, sepse kemi të bëjmë me marrëdhënie me të huajt. Çfarë mesazhi u japim atyre, duke bërë të tilla linçime publike për punonjësit diplomatikë? Dhe kur dihen të gjitha këto (natyrisht, për ata që i dinë) përse e bën kryediplomati ynë këtë? E bën që t’i mbushë mendjen opinionit kritik se ai është “dora e duhur” në krye të diplomacisë shqiptare? Shyqyr që na e dha Zoti! Axhamillëku i zëvendësministrit me detyrë ministri, është në shkallën më sipërore.

Prej gjashtë vitesh, diplomacia shqiptare është pjesë e qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Edi Rama. Nëse ishte kaq e zezë puna atje, si e lejoi ai që të katandisej ministria në atë derexhè? Punonjësit e trupit diplomatik, të atij që shërben jashtë, e kanë mandatin katër vjet. Pra, kishte mjaft kohë qeveria Rama të bënte reformë për ato punë që duheshin bërë, natyrisht, pa vënë altoparlantin për këtë çështje.

Edhe më tej: A ishin këto arsyet që Kryeministri e largoi ish-ministrin Bushati nga detyra e ministrit të Jashtëm dhe ta zëvendësonte me një zëvendësministër? Po të ishte kështu, le ta thoshte publikisht (deri sot nuk ka thënë asnjë arsye përse e largoi Bushatin). Por unë mendoj se nuk shkarkohej ministri për njëzet delenxhinj që mund të jenë në çdo ministri. Edhe sikur të shkarkohej për këtë, nuk vihej tellalli për të thënë ato që thotë zëvendësuesi i tij.

Ministri në detyrë u bëri thirrje “të rinjve ekselentë” (nga cila gjuhë është kjo fjala “ekselent”, se Fjalori i Gjuhës Shqipe nuk e ka?) që të vrapojnë tani te Ministria e tij se janë hapur vendet e punës me bollëk atje, sipas modelit të thirrjes që bëri Kryeministri. Po pse, kështu bëhet diplomacia, me të rinj studentë, qofshin këta edhe “ekselentë”, që nuk dinë akoma se nga është dera e ministrisë? Kështu do bëhet administrata diplomatike e zotit Cakaj?

Po pse është “komunikim i rëndësisë së veçantë” kjo që tha zoti Cakaj? E para, sepse varet se kush e bën vlerësimin e “komunikimit të rëndësisë së veçantë”. Zakonisht, këtë vlerësim e bëjnë të tjerët, jo vetë ai që bën komunikimin. Por për formatin e zotit Cakaj, ky është vërtet një “komunikim i rëndësisë së veçantë”. Nuk ka faj, nuk ka pasur rast të bëjë komunikime të tjera të “rëndësisë së veçantë” dhe nuk mund ta bëjmë fajtor për këtë. Dhe, me që mosha e ministrit në detyrë është akoma e re, do kemi raste edhe në të ardhmen të dëgjojmë komunikime të tjera “të rëndësisë së veçantë” të këtij lloji prej Tij. Zoti na ruajt!

E dyta, ministri i ri kishte nevojë t’i përcillte shefit të tij Kryeministër, mesazhin se sa i lartë është efikasiteti i punës së tij diplomatike në ministri, në shtatëdhjeteshtatëditorin e parë të emërimit të tij në detyrë. Kështu që duhet ta kuptojmë drejt zëvendësministrin me detyrë ministri.

Me këtë që dëgjova sot nga goja e zëvendësministrit me detyrë ministri, jam i bindur që kam pasur të drejtë kur kam thënë në një artikull pak javë më parë në këtë gazetë, se ndryshimet në qeveri, janë “prish bucela e bëj kanaçe”. Ja, u vërtetua. Le ta gëzojë tani Kryeministri Rama ministrin e tij!

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Prishje pazaresh droge, atentat mafioz ndaj një personi në Tiranë

Blutë e Lezhës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po organizonin të kryenin një vrasje, duke përdorur mina me...

8 gra dhe 8 burra: qeveria gjermane hap rrugën për barazi gjinore

Për herë të parë në 16 vjet, Gjermania do të drejtohet nga një burrë. Por megjithëse Angela Merkel po ia dorëzon kancelarinë një pasardhësi...

OBSH: Vaksinat duhet të funksionojnë kundër variantit Omicron

Vaksinat ekzistuese duhet të mbrojnë ende njerëzit që kontraktojnë variantin Omicron nga rastet e rënda të Covid, thotë një zyrtar i Organizatës Botërore të...

Fishekët e Yuri Kim, kapsolla deri më sot…

Nga: Eduard Zaloshnja Pasi Sekretari i Shtetit Blinken e shpalli Berishën persona non grata, Ambasadorja Yuri Kim, tek shkallët e ShQUP-it, u bëri thirrje anëtarëve/votuesve të PD-së...

Escobar me agjendë të qartë kundër korrupsionit, shmanget takimi me Metën

I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vjen në Tiranë me një agjendë të qartë kundër korrupsionit të politikanëve shqiptarë. Ambasada e...