Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka vizituar sërish banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës.
Nga atje Basha ka shpalosur planin me 5 pika, i cili sipas tij do ndihmojë për të kaluar me sukses gjendjen pas tërmetit të fortë.
“Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete. Prandaj kemi propozuar ato 5 masa:
1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.
2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,
3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.
5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve”, tha ai.
Sipas kreut të opozitës, nëse kjo paketë lehtësuese nuk zbatohet nga qeveria, biznesi do të vuajë pasoja të rënda.
“Veprimtaria juaj fiskale duhet pezulluar. Shteti s’mund t’ju marrë asnjë cent, s’mund t’ju tatojë gjatë kohës që ju nuk punoni. Dhe kjo nuk është mëshirë, kjo është normale. Si mund të tatosh një biznes që nuk punon për shkak të një fatkeqësie natyrore?! E dyta duhet të keni mundësinë që të mbështeteni në të njëjtën mënyrë si banorët dhe banesat për rimëkëmbjen e biznesit. Në Itali, ku ra tërmeti i madh para dy vjetësh, bizneset janë mbështetur deri në 100% të vlerës së dëmit, njësoj si banesat”, deklaroi ai.