Pesë shkolla do shemben, pasi u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit. Shkollat që po shemben janë; ‘Sami Frashëri’ në Tiranë, ‘Ramazan Subashi’ 9-vjeçare në Vorë, ‘Sherif Dervishi’ 9-vjeçare në Krujë, ’16 Shtatori’ në Shijak dhe ‘Charles Telford’ në Kavajë.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se shkollat do të ndërtohen me standarde të larta. “Ndërkohë që standardi është eurokod 8, hapësirat mësimore rriten, kapacitetet për klasë shkon në 24 nxënës, që është fantastike. Në klasat kopsht parashkollor ka rritje të klasave dhe ulje të numrit të nxënëseve, me laborator të gjitha shkollat. Të gjitha bibliotekë, palestër, me dush, garderodë. Kanë të personalizuar zyrat, sallat e mësuesve, bllokun e shërbimeve dhe pista vrapimi, fushë për basketboll, volejboll dhe tenis, minifutboll.
Një element i rëndësishëm është që sjell situata e re e krijuar që nuk do të mbarojë shpejt, edhe procesi i hapjes do të jetë i distancimit social. Dhe duhet futur elementi i kapacitetit dixhital, për të pasur një kombinim mes mësimit në klasë dhe atij online, deri kur mortja të ketë marrë fund me vaksinën. Të kemi turne të javës, me një pjesë që vjen në klasë dhe një pjesë që vijon nga shtëpia. Të pajisim me kapacitet komunikimin shkollat dhe fëmijët. Kjo duhet mbajtur parasysh”, deklaroi Rama.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj premtoi se në 1 nëntor, 40 shkolla do të jenë gati për fëmijët. “Menjëherë pas marrëveshjes kuadër, fillojnë ofertat dhe besoj që brenda 1 nëntorit kjo parti shkollash do të ketë mbaruar, që janë mbi 40. Duhet të ishin 59, por 22 i ka marrë UNDP, KE-ja. Atë afat që kemi vendosur do ta ndjekim, me shkollat, 24 orë në punë, për t’u futur nxënësit në 1 nëntor”, tha Ahmetaj.