Prokuroria e Posaçme jep pretencën për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, në lidhje me përgjimet e dosjes “Toyota Yaris” dhe lidhjet me elementë kriminale duke ndërhyrë në çështjet e tyre penale.
SPAK kerkon 4 vite burg, duke llogaritur edhe gjykimin e shkurtuar, duke e zbritur me një të tretën dhe përfundimisht me 3 vite izolim.
GJKKO ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga Zarka dhe avokati i tij.
Gjykata caktoi seancën e radhës në datën 5 maj, ora 09:00, kur do bëhet mbrojtja e të pandehurit dhe më pas shpallja e vendimit.
Ndërkohë, GJKKO ka ndarë veç dosjen për tre personat e tjerë, mes të cilëve ish-oficerja e BKH-së, Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi për shkak se nuk janë arrestuar ende nga policia dhe vijojnë të jenë në kërkim.
Ndërkohë është pezulluar gjykimi ndaj 3 të pandehurve për një periudhë kohore 1 vit, për shkak se nuk u bë i mundur njoftimi personalisht i këtyre të pandehurve për tu paraqitur në seancë paraprake.
Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin dosjen e 3.4 milion eurove që u bllokua në Portin e Durrësit, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.
SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.
Hetimi nisi mbi bazën e të dhënave të Sky Ecc që SPAK iu vunë në dispozicion nga autoritetet franceze, ku mes të pandehurve u zbuluan komunikime për çështjet.