32 vite në skenë/Altin Shira: Shqiptarët dikur ishin më dorëlëshuar

Altin Shira, me plot 32 vite në skenë, vijon të jetë i kërkuar nga publiku. Si një artist me shumë vite karrierë, Altin Shira numëron këngë dhe albume të shumta.

I ftuar në ‘ABC e Mëngjesit’, ai ka treguar se muzikën e ka patur pasion që i vogël, dhe e dinte se një ditë do t’i kthehej në profesion.

“Muzikën e kam të trashëguar. Unë kam edhe dy vëllezër të tjerë dhe një motër. Në atë kohë filluan edhe vëllezërit, por u tërhoqën. Ndërsa unë e kam pasur shumë pasion”, tha Shira.

Këngëtari ka rrëfyer se ka martuar shumë persona, madje dhe breza të ndryshëm nga e njëjta familje. “Nuk mbahet mend sa njerëz kam martuar, llogarite 30 e ca vite. Një ditë më kërkojnë të isha në një dasmë, unë nuk e njihja të zotin e shtëpisë. Më takoi, më thanë që në ‘94 martova babain, ndërkohë më ftoi të martoja vajzën. Shumë e bukur të martosh brezat”.

Po sa ka ndryshuar tregu? A ka më aq shumë fitime? Altini kujton më nostalgji kohën e lënë pas, ndërsa thekson se në atë periudhë fitohej më shumë. “Fitonim më shumë atëherë. Kanë qenë më dorëlëshuar shqiptarët atëherë”.