E shtunë, 24 Korrik, 2021
19.5 C
Tirana

“30 Qershori”, Kushtetuesja ja “pason” Venecias për opinion

Gjykata Kushtetuese i kërkon “ndihmë” Komisionit të Venecias për të dhënë një vendim final lidhur me vlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019. Pas më shumë se 10 orësh debat, Gjykata Kushtetuese vendosi që të pezullonte vendimin për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të vitit 2019 duke iu drejtuar Komisionit të Venecias për opinion.

Vendimi i Kushtetueses është konsideruar si “fillim i mirë i funksionimit”  nga avokati i shoqatës së bashkive, Jordan Daci. Ishte kjo shoqatë, e kryesuar nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, që inicioi padinë. ”Është në të drejtë të Gjykatës ti drejtohet Venecias. Lajmi mirë është që gjykata kushtetuese funksionon, çdo tentativë e paligjshme, politike dështoi me sukses për të penguar gjykimin e kësaj çështje. Besojmë se nuk do të ketë asnjë devijim, por në favor të pranimit të kërkesës sonë. Edhe debati tregoi se sa qesharakë bëhen përfaqësuesit e institucioneve tona se shiko se unë nuk shprehem për mendimin e institucioneve të mëparshme, apo nuk e di kur është bërë kërkesa. Merita e shoqatës është që e ngriti në nivel kushtetues dhe ne kemi besim se gjykata do ta pranojë kërkesën tonë”, tha Daci pas marrjes së vendimit.

Por çfarë ndodhi sot në Kushtetuese?

Çështja më e nxehtë politike e dy viteve të fundit, që vuri në diskutim legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019, arriti vetëm sot të merrej në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e mbetur në detyrë pas skualifikimit të kandidatit socialist, inicoi kërkesën për pavlefshmëri të procesit ku në pjesën më të madhe të vendit, qytetarët shqiptarë kishin vetëm 1 kandidatë në fletën e votimit, pas bojkotit të opozitës.

Përfaqësuesja e qeverisë, Elira Kokona, i kërkoi anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese  pezullim të gjykimit, deri në të përfundimit të gjykimit të çështjes në gjykatën e Tiranës që lidhet me statusin e Voltana Ademit si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Por ata e rrëzuan kërkesën duke i dhënë në këtë mënyrë kryebashkiakes së Shkodrës, legjitimitet në krye të shoqatës që paralelisht drejtohet nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu. Përfaqësuesi ligjor i Voltana Ademit, Jordan Daci kërkoi shpalljen të pavlefshme, të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, duke kujtuar se Bindja Demokratike nuk ishte një subjekt i regjistruar në Gjykatë kur u përfshi në zgjedhje nga KQZ. Sipas tij, qytetarët u përballën në fletën e votimit me vetëm një kandidat dhe nuk kishin mundësi të refuzonin procesin përmes votës. Daci foli edhe për dekretin e Presidentit Meta i cili anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe vendimin e njëanshëm të shumicës dhe KQZ për të zhvilluar procesin. Në seancë arsyet e anulimit të dekretit të datës së zgjedhjeve dha edhe këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishi i cili foli për informacionet e kreut të shtetit për trazira në protestën e opozitës afro 1 muaj përpara zgjedhjeve.

Lexo edhe :   Mendoj të keqët
Lexo edhe :   Kali që na grabit kalorësin

Por përfaqësuesit e Kuvendit dhe të qeverisë i konsideruan legjitime zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas përfaqësueses së Kuvendit, Mimoza Arbi, gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të shqyrtuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive. Sipas saj, ligji parashikon që Presidenti vetëm dekreton datën e zgjedhjeve por nuk ka asnjë përcaktim ligjor që i jep kreut te shtetit të drejtën për të anuluar zhvillimin e zgjedhjeve. Edhe për përfaqësuesen e kryeministrisë, Elira Kokona, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e kërkesës.  Por, pas dhjetë orësh debat, Gjykata Kushtetuese vendosi ti drejtohet “Venecias”, duke amortizuar kështu të gjitha përplasjet politike të ndodhura sot “në derën” e saj./ Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Shembet ura në Siberi, bllokohet hekurudha më e gjatë në botë

Vërshimet si pasojë e reshjeve të furishme në Siberi kanë çuar në shembjen e një urë, duke e shkëputur hekurudhën siberiane, më e gjata...

Kina vendos sanksione ndaj shtatë shtetasve amerikanë

Kina njoftoi të premten se po vendos sanksione ndaj disa shtetasve amerikanë në përgjigje të sanksionimit nga ana e Shteteve të Bashkuara të shtatë...

KPK, pikëpyetje për pasurinë dhe profesionalizmin e prokurores Daniela Sulaj

Prokurorja Daniela Sulaj, e komanduar si inspektore pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, u përball të premten më 23 korrik me Komisionin e Pavarur...

Gjykata i refuzon kërkesën për liri, Hashim Thaçi mbetet në paraburgim

Gjykata Speciale e Hagës ka marrë vendim që t’i refuzohet kërkesa ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që ky i fundit të mbrohet në liri. Edhe...

Koronavirusi, Manastirliu tregon numrin e të vaksinuarve në 24 orët e fundit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar shifrat e të vaksinuarve kundër koronavirusit në vend. Manastirliu bën me dije, se mbi 13...