Ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, historiani Kastriot Dervishi në një postim në rrjetin social “Facebook” shkruan se demonstrata e 28 nëntorit 1939 nuk ka asnjë të dhënë të jetë organizuar nga komunistët. Dervishi shkruan se ajo i takon qëndresës antifashiste në kohën kur komunistët flinin gjumë apo më keq akoma, vishnin uniformën e zezë fashiste.
Historiani sqaron se Tirana dhe qytetet e tjera të Shqipërisë janë mbushura plot me pllaka ku thuhet se komunistët nisën protestat e para kundër fashizmit.
“Ka manipuluar një ngjarje e cila nuk udhëhiqej nga ylli i kuq. Nuk ka asnjë protagonist të shënuar sepse dy janë pushkatuar më vonë nga vetë regjimi komunist, ndërsa ngjarja është antifashiste, por asnjë fije komuniste“, shkruan Dervishi.
Gjithashtu, Dervishi publikoj dhe të gjitha emrat e organizatorëve e demonstratës së 28 nëntorit 1939. Historiani i referohet një raport të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, një ditë pas ngjarjes. Ngjarja fillon në sheshin “Skënderbej” e vijon me ceremoninë te varri i Naim Frashërit. Pjesëmarrës janë gjimnazistët e Tiranës. Demonstrata udhëhiqej nga (edhe pse në dukje nuk ishte fort e qartë):
Mehmet Vokshi (mësues në gjimnaz), Jonuz Blakçori (ish-oficer, mësues në gjimnaz), Musa Kranja (ish-oficer i xhandarmërisë, kryesues i revoltës së Fierit), Ismail Petrela (pronar toke nga Tiranë), Ramiz Dibra (ish-kolonel i ushtrisë turke), Mazar Këlliçi (ish-deputet i Zogut, me të cilin nuk shkonte më, i cili dërgoi në Rusi djalin e vet për të mësuar doktrinën bolshevike), Ali Fehmi Kosturi (ish-kolonel i ushtrisë turke, tashmë mbi 70 vjeç)
Tre të fundit ndiqnin turmën në karrocë.
Postimi i plotë i Kastriot Dervishit
Organizatorët e demonstratës së 28 nëntorit 1939
Një raport i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, një ditë pas ngjarjes, na tregon mbi dinamikën e ngjarjes së demonstratës së 28 nëntorit 1939. Ngjarja fillon në sheshin “Skënderbej” e vijon me ceremoninë te varri i Naim Frashërit. Pjesëmarrës janë gjimnazistët e Tiranës. Emrat e organizatorëve gjenden në raportin përkatës.
Pjesë nga raporti i policisë
Në pasditen e djeshme, rreth orës 15.30, një grup studentësh, midis të cilëve edhe disa studente femra të gjimnazeve shqiptare improvizuan disa demonstrata me këngë të himneve shqiptare. Pas ceremonisë në sheshin “Skënderbej”, me fjalim të Atë Shantosë, grupi, që tani kishte arritur në rreth 100 në numër përgjatë rrugës së“Bogdanëve” dhe rrugës “Mbretëresha Elena”, shkoi te varri i Naim Frashërit, patriot shqiptar, i cili ka vdekur në Turqi rreth 30 vjet më parë dhe trupi i të cilit u transportua në Shqipëri me vullnetin e Mbretit Zog.
Ky manifestim u interpretua nga shumica si një mbledhje e të rinjve shqiptarë pranë varrit të patriotit që kishte ëndërruar një pavarësi shqiptare krejt ndryshe nga ajo aktualja.
Të gjitha rrugët kryesore të qytetit u përshkuan nga grupi me flamuj shqiptarë dhe përbëhej nga vetëm shqiptarë.
Mes thirrjeve të ndryshme ishin: “Rroftë flamuri i IsmailQemalit”. Ky flamur është ai që mban shqiponjën dykrerëshe të zezë, përdorur nga I. Qemali në 1912 kur shpalli pavarësinë e Shqipërisë nga dominimi turk, në Vlorë.
Demonstrata udhëhiqej nga (edhe pse në dukje nuk ishte fort e qartë):
-Mehmet Vokshi (mësues në gjimnaz)
-Jonuz Blakçori (ish-oficer, mësues në gjimnaz)
-Musa Kranja (ish-oficer i xhandarmërisë, kryesues i revoltës së Fierit)
-Ismail Petrela (pronar toke nga Tiranë)
-Ramiz Dibra (ish-kolonel i ushtrisë turke)
-Mazar Këlliçi (ish-deputet i Zogut, me të cilin nuk shkonte më, i cili dërgoi në Rusi djalin e vet për të mësuar doktrinën bolshevike).
-Ali Fehmi Kosturi (ish-kolonel i ushtrisë turke, tashmë mbi 70 vjeç)
Tre të fundit ndiqnin turmën në karrocë.