Silvio Berlusconi, kavalieri komik i politikës italiane, tashmë është 86-vjeçar. I pudrosur dhe i botoksizuar me bollëk, fytyra e tij më shumë i ngjan një maske, ndërsa ecja e pasigurt shpesh tregon se matufi politik i Romës ka probleme me drejtpeshimin.
Në qeverinë e ardhshme italiane, partia e tij Forza Italia do të luajë rolin e partnerit junior.
Berlusconi tashmë ka filluar të ndihet i rëndësishëm.
Në një incizim të publikuar nga agjencia e lajmeve LaPresse dëgjohet duke folur para kolegëve të tij të Forza Italia në parlamentin italian.
Në fjalimin e regjistruar tinëz, Berlusconi thotë se sërish ka vendosur kontakte me Vlladimir Putinin, i cili në listën e miqve të tij Berlusconin e paskësh futur në pesëshen e artë (kështu thotë Berlusconi).
Në vijim të fjalimit të tij Berlusconi tha:
“Sërish kam rivendosur paksa kontaktin me presidentin Putin, pak si tepër, kështu që ai më ka dërguar për ditëlindje 20 shishe vodkë dhe një letër shumë të ëmbël”.
Berlusconi tregoi se i është falënderuar Putinit duke i dërguar verë italiane dhe “po ashtu një letër të ëmbël”.
Me gjasë kështu duket dashuria mes një autokrati dhe një oligarku. (E.Robelli)