Në Shqipëri aktualisht janë dy raste të konfirmuara me koronavirus, ndërkohë, së fundmi Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve që ta përballojnë me qetësi këtë situatë.
Përgjatë një deklarate për shtyp, Presidenti përshëndeti vendimet e marra nga qeveria lidhur me këtë çështje dhe apeloi për përgjegjshmëri maksimale për të përballuar situatën nga koronavirusi.
“Sot u konfirmuan dy rastet e para të koronavirusit. Duke iu uruar shërim të shpejtë, shpreh solidaritetin tim me ta, familjarët dhe ekipin mjekësor. Duke vlerësuar angazhimin dhe masat e marra nga institucionet përgjegjëse shtetërore përfshi dhe vendimet e qeverisë, i ftoj qytetarët ta përballojnë me qetësi këtë situatë.
Të respektojnë protokollet mjekësore, të ndjekin sugjerimet e institucioneve shtetërore. Nuk ka vend për panik, por nuk ka vend për nënvlerësimin më të vogël nga të gjitha institucionet dhe qytetarët. Kërkohet përgjegjshmëri maksimale. Profesionalizëm, përkushtim e transparencë”, deklaroi Meta.