120 të burgosur në Turqi konfirmohen me koronavirus

Ministri i Drejtësisë, Abdulhamit Gul bën me dije se 120 të burgosur në Turqi kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Ai tha se të infektuarit ishin nga katër burgje të ndryshme në vend, ndërsa asnjë prej tyre nuk është në gjendje kritike për jetën. Vendndodhjet e burgjeve nuk janë bërë publike.

“Të gjithë të burgosurit po marrin trajtim në spital. Nuk ka asnjë të burgosur në një njësitë e kujdesit intensiv. Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore”, tha ai.

Më 13 prill, Gul raportoi 17 raste me koronavirus në burgjet turke, teksa tre prej tyre humbën jetën.

Në fillim të muajit prill, Turqia liroi rreth 90,000 të burgosur si pjesë e një amnistie masive, për të ulur mbipopullimin dhe për të frenuar përhapjen e virusit në burgje

Turqia është një nga 10 vendet më të prekura nga koronavirusi në botë. Deri më tani ajo numëron 112,261 raste infektimi dhe 2,900 viktima.