Aktualitet

101 vite nga vdekja e babait të kombit shqiptar Ismail Qemalit


               Publikuar në : 10:26 - 24/01/20 Gentjan Progni

Sot, 101 vite më parë u ndaj nga jeta kryeministri i parë shqiptar, babai i kombit, Ismail Qemali. “Plaku me mjekër të bardhë” që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës.

Edhe sot pas një shekulli ende nuk dihen shkaqet e vërteta të vdekjes së tij. Ai vdiq në rrethana misterioze në 24 Janar 1919 në Peruxhia të Italia, ku edhe prehet. Sipas shumë të dhënave, Ismail Qemali mund të jetë helmuar.

Ismail Qemali është figura qendrore e kombit shqiptar  që pas heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ai jetoi dhe luftoi në një epokë të trazuar të botës. Një perandori osmane që po shpërbëhej, fqinj lakmitarë që donin të gllabëronin trojet shqiptare dhe shqiptarë të përçarë ishin disa nga sfida më të mëdha të kohës.

Më 28 nëntor 1912, në rrethana të vështira, ai ngriti flamurin shqiptar në Vlorë dhe e shpalli Shqipërinë vend të pavarur. Menjëherë në asamblenë që pasoi u krijua qeveria, ku ai u zgjodh kryeministri i parë.

Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë, si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT