100 pacientë shqiptarë do marrin çdo vit trajtim mjekësor në spitalet e Turqisë

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë dy ditore në Turqi, me ftesë të Presidentit Rexhep Taip Erdogan. Së bashku më të në Ankara ndodhet dhe një pjesë e kabintetit qeveritar.

Në vijim të nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik ndërmjet vendit tonë dhe Turqisë gjatë ditës së sotme, është nënshkruar edhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e Shëndetësisë.

Ministrja Ogerta Manastirliu, informoi se falë kësaj marrëveshjeje, 100 pacientë shqiptarë do të marrin çdo vit trajtim mjekësor të specializuar në spitalet e Turqisë.

”Thellimi i bashkëpunimit për ruajtjen e shëndetit publik, shkëmbimin e përvojave në fushën e mjekësisë familjare, farmaceutikës, vaksinimit, teknologjisë së informacionit, shërbimit gjatë emergjencave dhe forcimi i sistemeve të kujdesit shëndetësor janë në fokus të marrëshjes së re të firmosur me homologun e Republikës së Turqisë, dr. Fahrettin Koca. 100 pacientë shqiptarë do të marrin çdo vit trajtim mjekësor të specializuar në spitalet e Turqisë.’’, shkruan Manastirliu në rrjetin social, Facebook.