Kryesore

Dhjetë herët kur Google Maps, gati ka çuar në luftë vendet fqinje


               Publikuar në : 12:35 - 27/03/19 S.N

Disa vende, kanë kufij të kontestuar me fqinjët. Kjo mund të jetë shumë problem për kompanitë që ofrojnë harta digjitale, pasi zakonisht do të duhet t’ja caktojnë një territor të caktuar një vendi ose tjetri, ose ta etiketojnë atë si të diskutueshëm.

Google Maps, është shërbimi më popullor i hartave në botë, ndaj nuk është ndonjë habi që kompania gjendet shpesh në situata delikate. Janë jo të pakta rastet, kur Google ka bërë pa dashje gabime, dhe ka etiketuar zona dikur të kontestuara, si pjesë të kombeve rivale, duke shkaktuar incidente të rrezikshme, që në disa raste kanë marrë edhe jetë njerëzish.

    10. Nikaragua pushton Kosta Rikën, pasi komandanti i ushtrisë përdorte Google Maps

Në vitin 2010, trupat ushtarake të Nikaraguas pushtuan ishullin Kalero të Kosta Rikës, pasi e kishin ngatërruar atë si pjesë të territorit të Nikaraguas. Me sa duket, Eden Pastora, komandanti i ushtrisë, kishte përdorur Google Maps, për të planifikuar misionin. Google Maps kishte shënuar gabimisht 2.7 kilometra të kufirit të Kosta-Rikës, si pjesë të Nikaragës.

Kosta Rika u befasua nga pushtimi. Nikaragua kishte marrë kontrollin e zonës në vitin 1858 me anë të një traktati, por më vonë Gjykata e Arbitrazhit ia Kosta Rikës. Pas këtij incidenti, Kosta Rika i kërkoi që Google të korrigjonte hartën e saj, dhe kërcënoi të denonconte në OKB Nikaraguan.

  1. Google Maps, e tregon Krimenë si pjesë e Rusisë për rusët, dhe si pjesë të Ukrainës për ukrainasit

Ky vendim, ishte pjesë e taktikës më të fundit të Google, për shmangien e ngatërresave kufitare. Google, ka bërë të njëjtën gjë në Indi dhe Kinë, ku përdoruesit e të dyja kombeve e shohin rajonin e kontestuar Aksai Chin, si pjesë e kombit të tyre. Një zëdhënës më vonë sqaroi se Google përdor rregullat lokale, për të përcaktuar kufirin midis kombeve.

  1. Google Maps, ia cakton Kinës Cekëtinën Skarborou

Cekëtina Skarborou, është një territor ujor i kontestuar ashpër nga Kina dhe Filipinet. Në fakt, ato nuk bien as dakord se si ta quajnë atë. Kina thotë se cekëtina është në të vërtetë një ishull, dhe e quan atë Huangian. Filipinet këmbëngulin që është një lagunë, dhe e quajnë Bajo de Masinloc. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar e njeh atë si një vendkalim, por e quan Cekëtina Skarborou. Në një moment Google u përfshi padashje në këtë mosmarrëveshje, kur e etiketoi bregdetin e kontestuar si ishullin Huangian në hartat e saj. Filipinet protestuan.

  1. Google Maps, ndërhyn pa dashje në konfliktin Indi-Pakistan mbi Kashmirin

Kashmiri është një nga kufijtë më të kontestuar, dhe të militarizuar në botë. India dhe Pakistani pretendojnë pronësinë e të gjithë rajonit, edhe pse secila kontrollon vetëm një pjesë të saj. Edhe Kina kontrollon një pjesë të Kashmirit, çka e ndërlikon më tej mosmarrëveshjen kufitare.

Mes Indisë dhe Pakistanit janë zhvilluar 3 luftëra mbi këtë rajon në vitet 1949, 1962 dhe 1965.

Duke pasur parasysh këtë histori të trazuar, është e kuptueshme pse Pakistani u zemërua kur Google Maps e tregoi Azad Kashmir, një pjesë të Kashmirit, nën kontrollin e Pakistanit dhe distriktin Hotan, një pjesë e Kashmirit nën kontrollin kinez, si pjesë të Indisë.

  1. Google përjashton Palestinën nga harta e saj

Fushat e Bregut Perëndimor të kontrolluara nga palestinezët, janë disa prej territoreve më të kontestuara në botë. Nëse Palestina ekziston si një vend, kjo varet nga kombi ku jetoni. Që nga fillimi i gushtit 2018, 137 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, e kanë njohur Palestinën si një vend.

Megjithatë, vende të tjera si Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nuk e njohin ekzistencën e saj.

Në 2016, Google bëri lajm kur u akuzua për përjashtimin e Palestinës nga hartat e saj. Palestina tregohej në hartë, por pa emër. Një zëdhënës i Google, sqaroi më vonë se kompania nuk e kishte etiketuar kurrë Palestinën në hartat e saj.

  1. Google Maps, ia transferon gabimisht Holandës portin gjerman të Emdenit

Gjermania ka një mosmarrëveshje me Holandën, mbi vendndodhjen e saktë të kufirit mes tyre përgjatë grykëderdhjes së lumit Ems. Google e ndezi këtë debat, kur emërtoi një pjesë të grykëderdhjes, të cilën të dyja vendet bien dakord se i takon Gjermanisë, duke ia dorëzuar atë holandezëve.

Zona, e quajtur Gjiri i Dollarit, ka një port në qytetin e Emdenit në Gjermani. Porti u etiketua si pjesë e territorit të Holandës. Qytetarët e Emden u zemëruan. Ata njoftuan zyrtarët e qytetit, të cilët kanë kontaktuar me Google. Gjithsesi, kompania nuk e ka korrigjuar ende gabimin.

  1. I gjithë shteti indian zhduket në Google Maps-in kinez

Arunashal Pradesh, është një tjetër territor i diskutueshëm ndërmjet Indisë dhe Kinës. Të dyja vendet, kanë zhvilluar madje një luftë për të në vitin 1962. Edhe pse India e konsideron Arunashal Pradesh si një nga 29 shtetet e Indisë, Kina këmbëngul se ai territor është pjesë e Tibetit jugor.

Në vitin 2009, u zbulua se Google Maps tregonte dy rezultate të ndryshme për Arunashal Pradesh, në varësi të vendit nga ku kërkonte përdoruesi. Arunashal Pradesh, u shfaq si pjesë e Indisë për indianët, dhe si një pjesë e Kinës për kinezët. Megjithatë, Google e la rajonin pa etiketim në hartat e tij në gjuhën kineze.

  1. Spanja “tërbohet”, pasi Google Maps ia njeh Marokut ishullin e kontestuar

Ishulli Parsli, është një ishull i vogël i pabanuar, shumë pranë brigjeve të Marokut në Afrikën e Veriut. Më shumë një masë shkëmbore sesa një ishull normal, ai mbetet gjithsesi një mollë sherri midis Spanjës dhe Marokut. Të dyja vendet, e pretendojnë atë si pjesë të territorit të tyre. Në korrikun e vitit 2002, ishulli u përfshi në një incident, pasi u pushtua nga disa ushtarë marokene. Spanja dërgoi ushtrinë e vet për të dëbuar marokenët, dhe të dyja kombet ishin në prag të luftës, derisa gjithçka u normalizua me ndërhyrjen e SHBA-së. Google e ringjalli konfliktin në vitin 2010, kur e tregoi ishullin si pjesë të territorit të Marokut. Google, sqaroi më vonë se ishte një gabim, dhe do ta cilësonte ishullin si një “territor të diskutueshëm”.

  1. Google Maps, e konsideroi Tajvanin si pjesë të Kinës

Kina dhe Tajvani, kanë pasur një marrëdhënie të acaruar mes tyre, që kur Tajvani e shpalli veten një komb të pavarur. Ndërkohë Kina, pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj. Në vitin 2005, Google Maps u përfshi në konflikt, pasi e përshkroi Tajvanin si një “krahinë të Kinës”.

Qeveria e Tajvanit protestoi, duke këmbëngulur se ishulli nuk është pjesë e Kinës. Google përditësoi hartën e tij, dhe e hoqi përshkrimin e diskutueshëm nga emri i Tajvanit. Por vendimi zemëroi kinezët, që kërcënuan të bojkotojnë shërbimet e Google.

  1. Google Maps, i jep Tajlandës territorin e Kamboxhias

Kufiri Kamboxhia-Tajlandë, është gjerësisht i kontestuar. Zona rreth tempullit Preah Vihear, është një nga rajonet më të diskutueshme përgjatë kufirit. Në vitin 1962, një gjykatë ndërkombëtare vendosi që tempulli i përkiste Kamboxhias. Megjithëse Tajlanda e pranon formalisht vendimin, ajo e konsideron zonën përreth tempullit një pjesë të vetën.

Në vitin 2010, Google u gjend sërish mes dy zjarresh, pasi e etiketoi në hartat e saj një pjesë të territorit të diskutueshëm, si pjesë të Tajlandës. Në atë kohë, të dyja vendet u angazhuan në një seri sulmesh vdekjeprurëse në zonat kufitare./ Përgatiti për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT