1 muaj para zgjedhjeve, zgjatet afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit

Zgjatet afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Vlefshmëria e kartave të identitetit që skadojnë pata ditës së zgjedhjeve, do të shtyhet deri më 30 prill.

Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Vendimi

PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

Vendosi

Neni 1

Neni 9/2, i ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 9/2

Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 25 prill 2021, zgjatet deri në datën 30 prill 2021.”.

Kërkesa për zgjatjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit u parashtrua fillimisht nga Partia Demokratike, dhe më pas u mbështet edhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, janë në total 1,062,000 shtetas të cilët rrezikonin të mos votojnë në datën 25 Prill 2021 për shkak së dokumenti i tyre i identifikimit ka skaduar apo skadon deri ditën e zgjedhjeve.