1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, i përkushtohet zakonisht të drejtave të punëtorëve në mbarë botën. Në Shqipëri, si për forcë zakoni që nga periudha e komunizmit, kjo ditë përjetohet si një nga festat e radhës. Në fakt, bota në këtë ditë shpreh shqetësim të madh për kushtet në të cilat punojnë miliona njerëz.
Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO, thotë se vetëm në vitin 2018, rreth 2.7 milionë gra dhe burra humbin jetën çdo vit në aksidente ose sëmundje të lidhura me punën. Pra mbi 6000 të vdekur çdo ditë.
Ndërkohë në mbarë botën, ndodhin mbi 340 milionë aksidente në punë, me mbi 160 milionë punëtorë të prekur nga sëmundjet e lidhura me punën. Kostoja e përgjithshme e plagosjeve dhe vdekjeve të lidhura me punën, arrin pothuajse 3 trilionë dollarë.
Në Shqipëri, humbin jetën çdo vit dhjetëra njerëz nga aksidentet në punë. Numri më i madh i viktimave, regjistrohet në sektorin e ndërtimit dhe atë të minierave, kryesisht për mungesë të rregullave të sigurimit teknik.
Ngjarje të tilla, janë shpesh një tragjedi e dyfishtë për familjen e viktimës. Ajo humb njeriun e shtrenjtë, dhe nga ana tjetër zhytet në mjerim ekonomik, për shkak se përfiton në rastin më të mirë, disa para nën dorë nga kompania përkatëse.
Në shumicën e rasteve, fajtorë për aksidentet në punë shpallen viktimat, pasi sipërmarrësi bën çmos që të shmangë ndërprerjen e punës. Ndaj përpara se të shkojnë të festojnë nga Kodrat e Liqenit, shqiptarët do bënin mirë të zhvillonin një protestë të heshtur, në përkujtim të atyre njerëzve që nuk jetojnë më, si pasojë e punës në kushte tejet të vështira.
TIRANA TODAY