E martë, 28 Shtator, 2021
17.5 C
Tirana

1.4 miliardë lekë të ardhura, televizioni që renditet i pari për nga fitimi

Tetë televizionet kryesore në Shqipëri siguruan së bashku të ardhura prej 4.3 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje me 8% gjatë vitit 2020, pavarësisht se ekonomia e vendit u paralizua për disa muaj me radhë si pasojë e pandemisë së koronavirusit të ri.

Të dhënat financiare të televizioneve, të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se katër nga tetë televizionet kryesore njohën rritje të të ardhurave, dy njohën rënie ndërsa dy të tjera ishin pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2019.

BIRN shqyrtoi të dhënat financiare të kompanive Top Channel, TV Klan, Media Vizion, Multiscreen, Focus Media, Scan, G2Media dhe Euronews, ndërsa dy televizione të tjera të mëdha, ABC News dhe Ora, nuk u përfshinë në llogaritje për shkak se nuk kanë publikuar ende bilancet e vitit 2020.

Tregu i televizioneve duket se ka njohur zgjerim të konsiderueshëm gjatë vitit të pandemisë. Dhjetë televizione të analizuara nga BIRN më 2019, ku përfshihen edhe Ora News e ABC, bilancet e të cilave mungojnë këtë vit, patën të ardhura totale prej 4.3 miliardë lekësh, ndërsa tetë televizionet me bilance të publikuara patën së bashku 4 miliardë lekë të ardhura.

Indeksi i përqendrimit të tregut, i matur si përqindja e tregut të kontrolluar nga katër televizionet kryesore, duket se u përkeqësua më tej gjatë vitit të kaluar. TV Klan, Top Channel, Focus Media dhe Media Vizion kontrolluan së bashku 81% të tregut, duke lënë 19% për katër televizionet e tjera. Vitin e kaluar, indeksi i përqendrimit ishte 79%, ndërsa më 2018 ishte 88%.

Indeksi i përqendrimit të tregut është një tregues ndërkombëtar që synon të masë larmishmërinë e burimeve të informimit të qytetarëve të një vendi. Përqendrimi konsiderohet i lartë ose tepër i lartë nëse katër pronarët kryesorë të medias kontrollojnë më shumë se gjysmën e tregut.

Dy televizionet kryesore në vend, Top Channel dhe TV Klan, patën së bashku 63.5% të tregut gjatë vitit 2020.

Tre nga tetë televizionet e analizuara rezultuan me humbje, përfshirë edhe dy aktorët e rinj në treg, A2CNN dhe Euronews. Fitimet totale të tregut ishin 369 milionë lekë, me rritje 4.3% në krahasim me vitin e kaluar.

Televizioni Klan zuri vendin e parë me 1.4 miliardë lekë të ardhura, një rritje prej 22% në krahasim me vitin 2019. Klan kontrollon 33% të tregut. Klan u rendit i pari edhe për nga niveli i fitimeve, me 202 milionë lekë.

Top Channel pati një rënie të lehtë të të ardhurave me 2.8% dhe u rendit i dyti, ndërsa kompania arriti të ruajë fitimet vjetore në 156 milionë lekë.

Multiscreen, kompania që menaxhon kanalin e lajmeve Report TV rezultoi kompania me normën më të lartë të fitimit në treg. Nga të ardhurat prej 191 milionë lekësh, Report TV realizoi fitime neto në masën 41.5 milionë lekë ose 22%.

G2 Media, kompania që menaxhon A2CNN, një nga dy hyrjet e reja në tregun e televizioneve, pësoi njëkohësisht rënie të të ardhurave dhe shumëfishim të humbjeve. Ky televizion u konsiderua si surpriza e vitit 2019 pasi arriti të kontrollojë 9% të tregut dhe u rendit e katërta për nga madhësia. Por ajo gjithashtu mbylli vitin me një bilanc pozitiv. Por në vitin 2020, kompania pësoi një rënie me 22% në të ardhura ndërsa humbjet fluturuan në 38.7 milionë lekë.

Euronews, e cila pati vitin e parë të plotë të operimit më 2020, realizoi të ardhura në masën 214 milionë lekë, nga 46 milionë që ishin të ardhurat në vitin 2019, ndërsa humbjet u reduktuan në 15.6 milionë lekë. Televizioni publik, i cili financohet nga taksapaguesit, nuk ka publikuar raport vjetor për vitin 2020. /Reporter.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Berisha, nga Ryersoni tek Yuri Kim

Nga: Mentor Kikia Zhvillimet që po ndodhin tani në politikën shqiptare janë më të rëndësishmet që kanë ndodhur që nga vitet 1990-1992. Dhe kanë për...

Bërnabiq: BE nuk po bën asgjë, ose fare pak për situatën në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Bashkimi Evropian, në këtë moment, “nuk po bën asgjë, ose po bën fare pak” në lidhje me...

Dojna Mema i bashkohet ‘Big Brother Vip’, zbulohet pozicioni që i është besuar

“Big Brother Vip” starton në fillim të tetorit. Edhe ky edicion do të drejtohet nga Arbana Osmani. Revista “Vip Magazine” ka zbuluar se Dojna Mema...

Asnjë i dënuar për atentatin tek ‘Komuna e Parisit’, lihen të lirë dajë e nip

Viktor Marku dhe Sebastian Mali, të cilët akuzoheshin për vrasjen e Hekuran Billës, janë liruar nga qelia. Me vendim të Gjykatës, nga ‘arrest me...

“Qeveritë të takohen më shpesh”, akademiku Rexhep Qosja mesazh Ramës dhe Kurtit

Në ceremoninë e vlerësimit nga Edi Rama me titullin “Kordoni i Madh me Yllin e Medaljes”, të zhvilluar në Prishtinë, akademiku i njohur Rexhep...